Osmani në New York kërkon përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York, ka marrë pjesë në drekën tradicionale me krerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri  i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Osmani më ketë rast ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave.

“Para homologëve të saj, Presidentja Osmani ka ritheksuar se prej katër vjetësh, institucionet e BE-së kanë konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ajo ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, për rrugën e saj euroatlantike” – thuhet në komunikatën e Presidencës.

Osmani gjithashtu ka kërkuar mbështetje nga Bashkimi Evropian për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër.

Në ketë takim ajo ka folur edhe për agresionin e Rusisë në Ukrainë, ku ka theksuar se Kosova i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe se askush në rajon nuk duhet t`i shërbejë si satelit asaj për destabilizim të rajonit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje ka udhëtuar për në New York, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Presidentja Osmani gjithashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.

Ndërkaq në Fordham University, presidentja Osmani do ta mbajë një ligjëratë në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë vizitës në New York, presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.