Presidentja Osmani dhe anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić

Osmani në Mynih takoi anëtarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Mynih të Gjermanisë u takua me anëtarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željko Komšić.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se në këtë takim u diskutua për situatën e sigurisë në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit.

“Diskutuam për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim.” – thuhet në komunikatën e Presidencës, më 14.02.2025.

Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17.02.2008.

Tri figurat udhëheqëse të shtetit të Kosovës: presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja e jashtme në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz do të marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë që do të mbahet për tri ditë radhazi, në Mynih të Gjermanisë.

Të tri zyrat e tyre bënë të ditur lajmin të enjten, më 13.02.2025, për pjesëmarrjen e tyre në këtë Konferencë të rëndësishme të Sigurisë.

Konferenca do të zgjasë nga 14.02.2025, deri më 16.02.2025.

Formatet e programit kryesor përfshijnë: Fazën kryesore I dhe II, “Townhalls” (diskutime me publikun), Tryeza të Rrumbullakëta dhe “Spotlights” (diskutime që vënë në fokus një temë, ide ose çështje të caktuar).

Të shtunën, më 15.02.2025, në sesionin “Siguria Euro-Atlantike dhe Sfidat Rajonale”, sipas Agjendës të Konferencës, pritet të flas presidentja Osmani, për tematikën e titulluar: “Megjithatë, ajo vazhdoi: Duke u përballur me reagimin global gjinor”.

Në bazë të kësaj agjende të publikuar në uebfaqen zyrtare të Konferencës së Mynihut nuk paralajmërohet që Kurti dhe Gërvalla do të flasin në kuadër të sesioneve.

Në sesione të tjera, ndër të tjera, është planifikuar që të flasë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, zëvendëspresidentja dhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Maja Kallas; J.D. Vance, zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

Konferenca e Sigurisë e Mynihut 2025 do të trajtojë disa tema kryesore të sigurisë globale, duke përfshirë kërcënimet globale të sigurisë, luftërat hibride dhe kërcënimet në rajone të ndryshme, si: Deti Baltik, diskutime mbi rolin e Bashkimit Europian, SHBA-së dhe Kinës në sigurinë globale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Pos këtyre do të diskutohet edhe për trajtimin e çështjeve të stabilizimit të Lindjes së Mesme, mundësitë për paqe dhe çështjet e sigurisë në rajone, si: Afrika dhe Republika Demokratike e Kongos, për investimet strategjike dhe të ardhmen e bashkëpunimit të sigurisë SHBA-Ukrainë, me pjesëmarrjen e presidentit Zelenskyy; diskutime mbi përpjekjet për luftimin e financimit të terrorizmit dhe rolin e institucioneve financiare ndërkombëtare në këtë luftë.

Këtë vit shënohet Edicioni i 61-të i kësaj Konference, që njihet si qendra e diplomacisë ndërkombëtare.

Konferenca e Sigurisë së Mynihut është forumi kryesor në botë për debatimin e politikave ndërkombëtare të sigurisë dhe për nismat diplomatike për të adresuar shqetësimet më të ngutshme të sigurisë në botë.