Vjosa Osmani, Foto: Facebook
Osmani: Në më pak se 24 orë Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes së Brukselit
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në pak se 24 orë Serbia i ka shkelur dy nene të Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht të Planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, i njohur si Plani franko-gjerman.
Përmes një postimi në Twitter, Vjosa Osmani, ka thënë se pavarësisht marrëveshjes, Serbia mbetet ajo e vjetra.
“Në më pak se 24 orë Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit: 1. Ndërhyrja e huaj në zgjedhjet në Kosovë (në kundërshtim me nenin 2) 2. Lobimi dhe votimi kundër aplikimit të Kosovës në KE (në kundërshtim me nenin 4). Marrëveshja e re, por e njëjta Serbi e vjetër” – ka shkruar ajo në Twitter.
In less than 24 hours, Serbia has committed two violations of the Brussels/Ohrid Agreement:
1. Foreign interference in 🇽🇰 elections (in violation of article 2)
2. Lobbying and voting against 🇽🇰 CoE application (in violation of article 4)
New agreement, but same old Serbia.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) April 24, 2023
Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për aneksin e zbatimit të Planit të Bashkimit Evropian për raportet Kosovë-Serbi, i njohur si Plani franko-gjerman.
Marrëveshja bazë është bërë publike pas takimit të 27 shkurtit.
Neni dy i planit bazë thotë se të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e njeriut, të drejtat dhe mosdiskriminimi.
Ndërsa neni 4 thotë se palët veprojnë nën supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj dhe se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare.