Osmani në Mal të Zi, merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brione
Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Mal të Zi për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brione.
Ajo do të pritet nga nikoqiri i takimit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic si dhe nga homologu i Kroacisë, Zoran Milanovic dhe homologia nga Sllovenia, Natasha Pirc Musar.
“Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Presidentja Osmani do të mbajë fjalim, gjersa do të realizojë takime edhe me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse” – ka njoftuar Presidenca.
Në sesionin kryesor të liderëve, Osmani do të flasë për përkushtimin e Kosovës për integrim të plotë në institucionet euroatlantike, për paqe dhe siguri të qëndrueshme, si dhe për bashkëpunim rajonal.
Takimi i Bërdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, dhe fokusi kryesor është procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.