Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Foto: Facebook

Osmani në Lituani kërkon mbështetje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Gitanas Nauseda ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Lituani ku në takimin me zyrtarët e lartë shtetëror ka diskutuar për partneritetin mes këtyre dy vendeve dhe sigurisë sa i përket situatës në Evropë.

Kjo e fundit është diskutuar edhe në konferencën e të dy presidentëve para mediave.

Teksa ndaj të dy presidentëve është shtruar pyetja për mendimin e tyre rreth anëtarësimit të Finlandës në NATO, e para e shtetit të Kosovës është përgjigjur duke thënë se e përkrahë një gjë të tillë, ngaqë të gjitha vendet liridashëse duhet të kontribuojnë për paqen dhe sigurinë.

Ajo madje ka shtuar se edhe Kosova duhet të ketë mbështetje sa i përket anëtarësimit në NATO, në një proces të përshpejtuar.

“Për më tepër, unë besoj se kur bëhet fjalë jo vetëm për Finlandën apo Suedinë, por edhe për vendet e rajonit tonë, Republikën e Kosovës si dhe Bosnje Hercegovinën, ne kemi nevojë për mbështetje për një proces të përshpejtuar drejt NATO-s”, ka thënë ajo.

Tutje, Osmani-Sadriu ka theksuar se antarësimi i Kosovës në NATO ka qenë frymëzim që nga viti 1999.

“Jo vetëm sepse populli i Kosovës mbi 93 për qind është pro anëtarësimit në NATO, por ka qenë frymëzimi ynë historik që nga viti 1999 kur NATO na ndihmoi dhe ndaloi gjenocidin e vazhdueshëm në vendin tonë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, sot Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Zyrtare: Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës (VIDEO)