Osmani: Në koordinim me partnerët do të aplikojmë në organizata ndërkombëtare

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë që pas skadimit të moratoriumit 1 vjeçar për mos aplikimin në organizata ndërkombëtare, Kosova do të vazhdoj agjendën e saj.

“Moratoriumi ka përfunduar dhe po bashkëpunojmë me partnerët tanë amerikanë për agjendën tonë për njohje dhe pranime në organizata ndërkombëtare”, tha Osmani, gjatë një diskutimi të organizuar nga Rrjeti për Politikë të Jashtme (DGAP), në Gjermani në të cilin i pranishëm ishte edhe diplomati i njohur gjerman, Wolfgang Ischinger.

Sipas saj, suksesi nuk mund të arrihet pa përkrahjen e partnerëve ndërkombëtar.

“S’mendoj se mund të kemi sukses në organizata ndërkombëtare pa koordinim të ngushtë me partnerët. Kur bëhet fjalë për organizatat rajonale e ato evropiane, mendojmë se Gjermania mund të marrë lidership”, tha ajo.

Osmani ka thënë se për aplikim në UNESCO dhe INTERPOL, Kosova do të koordinohet me ShBA-në dhe BE-në.

“Kur bëhet fjalë për organizata të tjera si INTERPOL, UNESCO dhe të tjera, do të ulemi, koordinohemi dhe të punojmë së bashku, të bëjmë një plan me SHBA-në dhe partnerët evropianë për të aplikuar. S’duam të shkojmë vetë. Nuk duam të dështojmë”, tha ajo.

Sipas Osmanit, koordinimi me partnerët është i rëndësishëm për të pasur sukses për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Do të aplikojmë kur të jemi gati pas planit tonë, me partnerët tanë evropianë e amerikanë, sepse duam të kemi sukses, nuk është vetëm në interesin tonë suksesi por edhe në interesin e vendeve të tjera të regjionit”, theksoi ajo.

Dy versione të dokumentit prej gjashtëmbëdhjetë pikash, për palët kosovare dhe serbe, u nënshkruan më 4 shtator të vitit të kaluar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje ka qenë zotimi i palës kosovare se nuk do të aplikojë për një vit në organizata ndërkombëtare, ndërsa ajo serbe do të ndalojë fushatën e ç’njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ditë më parë është raportuar se Departamenti i Shtetit Amerikan inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.