Osmani: Në këtë dite zie për popullin tonë, Nora Gjakova i solli dritë Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Nora Gjakovën për medaljen e artë që e fitoi sot në Tokio.

Sipas presidentes, fitorja e Gjakovës në një ditë zie për Kosovën, është dritë.

“Në këtë dite zie për popullin tonë, Nora Gjakova i solli dritë Kosovës.  Faleminderit Nora e artë, që duke ecur rrugës së Majlindës e Distrias po i jepni motiv një populli të tërë për t’u ringritur edhe në vështirësi.  Xhudistet tona po arrijnë majat që shumë shtete i kanë ëndërruar. Ato janë epiteti më i mirë i Kosovës së ditëve tona. Përzemërsisht, ju faleminderit!”, ka shkruar Osmani.

Xhudistja nga Peja, Nora Gjakova ka fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kg për femra në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Tokio.

Nora Gjakova ka siguruar medalje olimpike në mëngjesin e sotëm pasi mundi japonezen Tsukasa Yoshida në gjysëmfinale.

Nora i ka sjellë Kosovës medaljen e dytë olimpike të artë nga Lojërat Olimpike të Tokios.

Gjakova e mundi Tsukasa-n me waza-ari në kohën shtesë.

Të shtunën, xhudistja Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike. Në Rio, më 2016, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë.

HISTORIKE – Nora Gjakova fiton medaljen e artë në Tokio