Foto: Presidentja Vjosa Osmani në Facebook
Osmani në Katar: Familja ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën e popullit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Konferencën e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes që po mbahet në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Osmani përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se në panelin kryesor “Pse kanë rëndësi politikat familjare?”, është diskutuar sesi ndryshimet demografike po i japin formë politikave familjare si dhe është folur për politikat që fuqizojnë familjet dhe gratë e reja.
“Në vitet më të vështira për popullin tonë, familja ka qenë bërthama më e fortë që ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lart dhe mbi të gjitha identitetin kombëtar”- ka shkruar Osmani në Facebook, më 30.10.2024.
Ajo ka shtuar se familja edhe sot mbetet një nga shtyllat më të forta pas çdo suksesi individual dhe kolektiv dhe baza e politikave të suksesshme sociale dhe ekonomike.
E para e vendit në Katar po merr pjesë me ftesë të Lartësisë së Saj, Sheikha Moza bint Nasser.