Osmani në Islandë: Nuk është e drejtë ndërlidhja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me dialogun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në takim nga kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdottir në Rejkjavik.

Biseda gjatë takimit në mes Osmanit dhe kryeministres së Islandës u fokusua në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kjo pasi Islanda aktualisht udhëheq presidencën e kësaj organizate.

Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm dhe progres për qytetarët e Kosovës ndërsa theksoi se ndërlidhja e këtij procesi me dialogun nuk është i drejtë.

“Presidentja po ashtu shtoi se ndërlidhja e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës me procesin e dialogut nuk është i drejtë, ndërsa theksoi se këto dy procese duhet të shihen si të ndara. Andaj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është reflektim i të arriturave të Kosovës në zbatimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të dëshmuar nga raportet e organizatave relevante ndërkombëtare”- thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se Islanda është partner dhe aleat i rëndësishëm i Kosovës.

Sipas komunikatës së presidencës, Osmani dhe kryeministrja Jakobsdottir shprehën gatishmërinë që të thellojnë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Islandës në fusha të ndryshme dhe të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Më 12 maj 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aktualisht Kosova po gjendet përballë presionit ndërkombëtar për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në kuadër të një propozimi evropiano-amerikan për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fillim të kësaj jave, zyrtarë amerikanë theksuan domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vendosur 6 kushte për themelimin e tij.