Osmani në Hungari e Gërvalla në Lituani, përfaqësojnë Kosovën në organizime të nivelit të lartë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, po qëndrojnë jashtë vendit për të përfaqësuar Kosovën në organizime të nivelit të lartë.
Të dy zyrtaret e larta të shtetit kanë udhëtuar ndarazi për dy ngjarje të ndryshme që kanë të bëjnë me demokracinë.
Përderisa më 7 nëntor, presidentja Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Europian në Hungari, ministrja Gërvalla në anën tjetër, më 7 dhe 8 nëntor, do të përfaqësojë Kosovën në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë në Vilnius të Lituanisë.
Në Samitin në Budapest, presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Europë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe për sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.
Përveç këtyre, siç ka njoftuar Presidenca, Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare si dhe do të mbajë dy fjalime: njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.
Presidenca ka njoftuar se në kuadër të Samitit, Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë europianë.
Në anën tjetër, ministrja Gërvalla, në Forumin në Lituani do të flasë për përkushtimin e Kosovës për avancimin e demokracisë dhe përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike.
MPJD njofton se Gërvalla është ftuar nga homologu i saj lituanez, Gabrielius Landsbergis.
“Gjatë forumit, Ministrja Gërvalla do të theksojë progresin e Kosovës në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror për të mbrojtur demokracinë përballë ndikimeve destabilizuese nga regjimet autokratike”- njofton MPJD.
Forumi i nivelit të lartë mbledh mbështetës të demokracisë nga e gjithë bota.
Sivjet, në këtë forum do të diskutohet për fuqizimin e aktivistëve të demokracisë, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe mediave të pavarura brenda dhe jashtë kufijve, përkatësisht do të flitet për mënyrat se si duhet mbrojtur këto kategori nga shtypja prej regjimeve autoritare.