Osmani në Forumin e Paqes në Paris: Evropa të marr mësim nga luftërat e viteve ’90-ta, të mos shpërblehen agresorët

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj në forumin e Paqes në Paris theksoi se Kosova duhet të merret shembull si storie suksesi e ndërhyrjes euro atlantike për ndalje të një gjenocidi.

Ajo theksoi se me situatën aktuale në Ukrainë, Evropa mund të marr mësim nga luftërat e Jugosllavisë në vitet ’90-ta.

“Unë përfaqësoj një komb i cili ka qenë viktimë e gjenocidit, por është kthyer në storien më të mirë të suksesit të bashkëpunimit euro atlantik. Ne kemi kaluar në kohëra të tmerrshme gjatë viteve ‘90-ta, por për shkak të partneritetit me aleancat kemi paqe e stabilitet. Në Europë ne mund të marrim mësime nga vitet 90-ta që mund të përdoret për situatën në të cilën jemi sot”- tha ajo.

Osmani tutje potencoi se heshtja ndaj regjimeve hegjemonike shkakon lufte e jo paqe, duke potencuar rastin e Millosheviqit që sipas saj, në fillim të viteve ’90-ta shihej si paçebërës.

“Heshtja ndaj autokratëve e regjimeve autokratike, hegjemonike nuk qon në paqe por në luftë, inkurajon më shumë shkatërrim e dhunë. Në vitet e hershme të ‘90-ta disa e kanë parë Millosheviqin si paçebërës, disa menduan se vetëm me të mund të arrihet paqja, ne e dimë rezultatin”- shtoj më tej Osmani.

Presidentja shtoi se paqe mund të arrihet nëse agresori nuk shpërblehet, sepse në të kundërtën vetëm inkurajon për më shumë sulme.

“Paqja mund të arrihet e të zgjasë nëse agresori nuk shpërblehet, sepse ta shpërblesh agresorin me territor të vendit që e ka sulmuar apo me masa tjera do t’i inkurajojë për të sulmuar të tjerët”- tha Osmani.

Lidhur me shembullin e pajtimit të Gjermanisë dhe Francës, Osmani tha se Gjermania nuk i ka mohuar krimet dhe ka paguar për to.

“Aspekti tjetër është përballja me të kaluarën, shumë na e përmendin rastin e Francës dhe Gjermanisë si rast për të marr mësim, pajtohem, por Gjermania bëri shumë, pagoi për krimet e kryera në luftën e dytë botërore, nuk i mohoi kurrë krimet”- tha Osmani.

Sipas Osmanit, kriminelët në Jugosllavi nuk u përballën me drejtësi dhe krijonin më shumë luftëra.

Presidentja po ashtu theksoi se nuk duhet të bijim në grackë të lojës së ‘dy palëve’, në rastet kur dihet qartë agresori dhe viktima.

“Nuk duhet të bijim në gracë të lojës së dy palëve, ne dëgjojmë shumë deklarime se dy palët provokojnë, e duhet të fajësohen. Nuk duhet të përmenden dy anët kur viktima dhe agresori dihen qartë. Forca jonë më e madhe në Kosovë varet në partneritetin tonë”- shtoi më tej Osmani.