Adresimi i presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.

Osmani në adresimin vjetor: Asnjë popull s'ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet s'ka sukses në izolim

E para e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më 21.11.2024, ka renditur disa nga qëllimet kryesore që Kosova duhet t’i arrijë në vitin 2025, “pavarësisht që ka gjasa të hasen vështirësi”.

Duke folur për rëndësinë e aleancave dhe partnetiteteve, Osmani ju tha përfaqësuesve të popullit që duhet angazhimi i të gjithëve që në vitin 2025 Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës, të avancojë kandidaturën në Bashkimin Europian dhe të punojë shumë për anëtarësimin në NATO.

Kështu tha ajo, duke i “këshilluar” deputetët por edhe anëtarët e kabinetit qeveritar se “aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë”.

“Asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të përfituar pushtet. Asnjëra dhe as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi duhet shumë punë dhe angazhim për mbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime dhe vlera”- deklaroi Osmani, duke shtuar se “forca jonë më e madhe qëndron te partneriteti jonë me shtetet mike”.

Si udhëheqese e politikës së jashtme, Osmani tha se ka punuar që zëri i Kosovës të dëgjohet edhe aty ku nuk është dëgjuar më parë.

“Për herë të parë Kosova është shtuar në samite e organizata ku fare nuk është anëtare. Veprimet e politikës sonë te jashtme janë shtrirë edhe në rajone tjera, si Afrikë, Azi e Amerikën Latine”- tha ajo.

Osmani përkujtoj se deri më tani kam realizuar dhjetra vizita ndërkombëtare e qindra takime me liderë. 

Sipas saj, çdo vizitë ka hapur kapituj të ri, “veçanërisht politika e jashtme ka adresuar veprimet dashakeqe nga Serbia”. 

“Përgjigja ka qenë një dhe e vetme: Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është realitet i pakthyeshëm”- tha ajo, duke shtuar se “asnjë popull nuk ia ka dal vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim”. 

Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë bojkotuar seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilin pritet të bëjë adresimin vjetor  presidentja Vjosa Osmani.

Me aktin më të lartë juridik të shtetit është e përcaktuar që sё paku një herë në vit kreu i shtetit t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij/saj.

Më 4 prill 2021, presidentja Vjosa Osmani, me 71 vota në rundin e tretë të votimit, mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesë-vjeçar.

Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listën e partisë Lëvizja Vetëvendosje, doli personi më i votuar në vend me mbi 300 mijë vota.