Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani nderohet me 'Çelësin e Sofjes' në Bullgari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Bullgari është nderuar me “Çelësin e Sofjes”.

“Çelësi hap dyer. Kjo vizitë zyrtare në Bullgari ka hapur shumë mundësi bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve e kryeqyteteve si dhe qytetarët tanë do t`i ofrojë më shumë ndër vete në funksion të dobisë reciproke”, ka thënë Osmani.

Ajo gjatë kësaj vizite, ka dekoruar Forcat e Armatosura të këtij shteti me Medaljen Ushtarake Presidenciale për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR-it në Kosovë.

Osmani ka theksuar se aktualisht në kuadër të KFOR-it, në Kosovë akoma shërbejnë ushtarët bullgarë, teksa nga viti 1999, janë 1600 ushtarë bullgarë, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovës, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Bullgaria nuk ishte ende anëtare e NATO-s në vitin 1999, megjithatë mori vendime të vështira por të drejta për të siguruar që ndërhyrja e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë të ishte e suksesshme në ndalimin e krimeve monstruoze nga forcat gjenocidale të Millosheviqit”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, në Universitetin “Shën Kirili e Metodi”, Osmani u nderua me mirënjohje, e më pas para diplomatëve, stafit akademik dhe studentëve foli për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.

Kurse Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme dhe e të gjuhëve indo-evropiane dhe Ballkanike i ka dhuruar mirënjohje për studimin dhe kultivimin e mëtejmë të gjuhës shqipe në kuadër të Departamentit të Ballkanistikës, thuhet në njoftim.