Osmani: Ndërhyrja e Serbisë për të penguar zgjedhjet në Kosovë kundër marrëveshjes së Brukselit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë pas zgjedhjeve në veri ka takuar kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Osmani ka thënë angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve është kundër Marrëveshjes së fundit të Brukselit.
“Kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”- ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës do t`i shtojnë përpjekjet dhe do t’i qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, në mënyrë që të mbrohen nga kërcënimet e strukturave ilegale.
“Institucionet e Kosovës poashtu do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjik për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë, të cilat janë edhe në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të Brukselit”- thuhen në njoftimin e Presidencës.
Osmani ka përgëzuar KQZ-në për përgatitjet e bëra, të cilat mundësuan realizimin e procesit të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Ajo ka falënderuar institucionet e sigurisë për punën profesionale, të cilat siguruan një ambient të qetë e të sigurt përgjatë procesit zgjedhor.
“Institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës”- ka thënë Osmani.
Qeveria e Kosovës ka dalë me një deklaratë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Mitrovicën e Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Në deklaratën e Qeverisë thuhet se në numrin e ulët të qytetarëve që kanë dalë në zgjedhje ka ndikuar frikësimi nga Beogradi.
“Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje” – thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian thotë se zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe janë zhvilluar në mënyrë të qetë.
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat me shumicë serbe në veri.
Von Cramon ka shprehur keqardhje në lidhje me mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje duke shtuar se dënon frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë apo votojnë dje.
“Megjithatë, më vjen thellësisht keq që forca kryesore politike në veri të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe dënoj fuqishëm frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë apo votojnë të dielën” – ka shkruar Von Cramon.
Dje, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.
Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.
Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.
Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.