Foto: Vjosa Osmani, Facebook

Osmani ndan fotografi nga takimet me liderë të vendeve të ndryshme dhe të institucioneve euroatlantike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 07.11.2024 është takuar me liderë të shteteve të ndryshme dhe të institucioneve euroatlantike në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Budapest.

Osmani ka shpërndarë fotografi nga takimi me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shefin e NATO-s, Mark Rutte, e të tjerë.

Në Samitin në Budapest, presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Europë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe për sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.

Përveç këtyre, siç ka njoftuar Presidenca, Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare si dhe do të mbajë dy fjalime: njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.

Presidenca ka njoftuar se në kuadër të Samitit, Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë europianë.