Osmani: Na duhet qeveria që jashtë shtetit s'ka nevojë të mbrohet nga skandalet

Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre të Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sot e ka vizituar Komunën e Istogut, ku ka folur për kandidimin e saj e për zgjedhjet e parakohshme nacionale që do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Osmani ka thënë se Kosovës, i duhet një qeveri e cila kur të del jashtë vendit nuk ka nevojë të mbrohet nga skandalet.

“Neve na duhet një Qeveri që kur del jashtë vendit, nuk ka nevojë të mbrohet për skandalet, por të dalë para botës dhe të flasë për rininë tonë të mrekullueshme. Të rinjtë e suksesshëm duhet të jenë nëpër faqet e para të gazetave dhe jo politikanët e korruptuar”, ka thënë fillimisht Osmani.

Tutje, ajo ka thënë se LDK-ja ka bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke cekur emra si Bill Clinton, Tony Blair e Medeleine Albright, të cilët e kanë takur ish-liderin e kësaj partie, Ibrahim Rugovën.

“Bill Clinton, Tony Blair, Madeleine Albright dhe çdo politikan i rangut botërorë që e ka takuar Presidentin Rugova, më së shumti flasin për urtësinë dhe këmbëngulësinë e tij. Ky është model qeverisës që ka nevojë Kosova dhe këtë model do ta ofrojë LDK-ja me besimin e qytetarëve”, ka shtuar Osmani.

Osmani është shprehur se LDK-ja do të krijojë shpresë për këtë vend.

“Këtë amanet na e la Ibrahim Rugova së bashku me bashkëpunëtorët e tij. E kemi detyrë të shenjtë nga ata që i vunë themelet e këtij shteti dhe nga ata që sakrifikuan edhe jetën që ne ta gëzojmë lirinë. LDK do të krijojë shpresë për këtë vend dhe do ta ndalë zbrazjen e Kosovës nga më të mirët tanë-rinia jonë”, ka thënë Osmani.