Osmani: Mirëpresim sanksionet e ShBA-së ndaj krimit të organizuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi që Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së më 8 dhjetor.

Osmani tha se i mirëpret sanksionet e ShBA-së ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij transnacional të krimit të organizuar në veri të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës janë krejtësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me SHBA-në për të garantuar që rajoni unë nuk do të bëhet parajsë për grupe të këtilla kriminale” , ka shkruar presidentja Osmani në rrjetin social “Twitter”.

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në kuadër të këtij Departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.