Osmani: Meja është Srebrenica e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

Osmani tha se Meja është Srebrenica e Kosovës, është dëshmia më e fuqishme e gjenocidit që ka ndodh në Kosovë që është kryer nga forcat serbe nga aparati shtetëror serb.

“376 djem e burra të pafajshëm u vranë në mënyrën më mizore u masakruan dhe disa nga ta u gjetën në varreza masive të Serbisë duke treguar krimin e shumëfishtë të Serbisë i cili kishte filluar me masakrimin e tyre dhe me tentimin për të humbur gjurmët e këtij krimi të tmerrshëm ndaj qytetarëve të pafajshëm. 36 nga ta ishin fëmijë nënë moshën 18 vjeç”, tha Osmani.

Osmani tha se zotohen që institucionet e Kosovës, jo vetëm që do të kenë prioritet zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por edhe drejtësinë për të vrarët e të masakruarit.

“Këtu nga meja bëjmë thirrje dhe e ngrisim zërin që ta dëgjoj e tërë bota që në Mejë, Serbia ka kryer një krim të cilin duhet ta quajmë me emrin e tij të vërtet e ai është gjenocid”, shtoi ajo.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se pikëllimi është më i madh sepse kurrë nuk ka pasur drejtësi të vërtetë për të rënët e Mejës.

Sipas Konjufcës, Serbia përveç që ka kryer krimin edhe ka dashtë ta fsheh atë.

“Shumë prej trupave këtu që kemi ardhë mi nderu janë gjet pas luftës në Batajnicë në poligonet ku kanë ushtru njësitë speciale të Serbisë. I kanë qu mi varros për mos mi gjetur kurrë pikërisht në vendet ku janë institucionet e sigurisë të shtetit të Serbisë. Kjo tregon se krimi ka qenë i organizuar prej shtetit, se krimet janë mundu mu fsheh prej institucioneve të Serbisë”, tha Konjufca.