Osmani: Më 18 dhjetor parashihet të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri

18-dhjetori është data kur parashihet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kështu ka njoftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Takimi i sotëm me partitë ishte për çështjen e datës. Ligji parasheh që nga dorëheqja të shpallen zgjedhjet. 18-dhjetori është data që parashihet. Do t’i drejtoj kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve. Nga të gjitha partitë që ishin prezente kërkova për datën 18 dhjetor” – tha Osmani.

Ajo ka thënë se si opsion tjetër është propozuar edhe data 11 dhjetor.

“Sapo t’i përfundojmë deklarimet do të ulemi me ekipin ligjor, tjetri opsion është edhe 11 dhjetori. Me të gjitha gjasat do të shkojmë me datën 18 dhjetor” – tha tutje presidentja Osmani.

Ajo tha se përafërsisht sot në mbrëmje ose nesër në mëngjes do ta bëhet publik vendimi përfundimtar për datën e zgjedhjeve.

Osmani tha se shpreson që të marrin pjesë sa më shumë qytetarë në votim, ndërsa shtoi se institucionet e sigurisë do të marrin masa që të gjithë të ndihen të sigurtë.

Pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me subjektet politike për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në takim nuk janë parë të jenë prezentë përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Listës Serbe.

Ndërkaq në takim ka qenë prezent edhe kryetari i Partisë së Serbëve në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviq.

Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës për veri. I njëjti u suspendua pasi u dyshua për rezistencë dhe refuzim të lëshimit të fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Për dorëheqjet u njoftua në një takim të jashtëzakonshëm të thirrur nga Lista Serbe. Dorëheqje pati në polici, sistem gjyqësor, nivel lokal, etj.