Presidentja Vjosa Osmani, 15 janar 2022, Foto: Facebook

Osmani: Masakra e Reçakut, pasqyrim i krimit kundër njerëzimit

Qeveria e Kosovës ka organizuar ceremoni përkujtimore në 23-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Në ceremoninë e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 23 vjet më parë bota e kuptoi përfundimisht krimin që ndodhi mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.

“Civilëve duarthatë mëngjesin e ditë së kobshme iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Atë ditë ‘Kodra e Bebushit’, siç njihet nga banorët lokal, ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim i krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i qëllimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviqit”, tha ajo.

Presidentja ka shtuar se tendencat për ta mohuar masakrën e Reçakut “janë përpjekje e qartë e rehabilitimit të atyre që kanë kryer krimin, por propaganda asnjëherë nuk mund t’i ndryshojë faktet historike”.

“Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është përsëritje e krimit, por e vërteta për Reçakun është shumë më e fuqishme se çfarëdo propagande e bashkëpunëtorëve të afërt të regjimit të Millosheviqit”, theksoi Osmani.

“Nuk do të lejojmë asnjëherë që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historisë apo tendencat pr ndryshim të historisë dhe nuk do të lejojmë që ajo të përsëritet”, shtoi presidentja.

Kurse, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu ka kujtuar përjetimin e 15 janarit të viti 1999.

“Unë atë kohë isha 15 vjeç dhe banoja rreth 1 kilometër larg fshatit Reçak. U zgjuam herët nga të shtënat e armëve atë mëngjes, nga dreka morëm vesh se forcat policore ushtarake serbe kishin vrarë burrin e kushërirës sime, Bajramin dhe vajzën e saj të re Hanumshahen. Kuptuam se atë ditë ishin vrarë e masakruar burra, gra e fëmijë të fshatit Reçak vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë”, tha ai.

Aliu shtoi se Reçaku kurrë nuk do t’i harrojë viktimat e masakrës.

23 vite që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, por përkundër kohës së gjatë që ka kaluar, deri më tani asnjë person nuk është gjetur përgjegjës për këtë krim makabër mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.

Njeriu i parë i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, kishte qenë kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker.

Walker kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat dhe i njëjti e kishte alarmuar botën për krimin që po ndodhte mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Hetimet për masakrën e Reçakut i ka marrë përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në anën tjetër, Serbia i ka mohuar krimet e kryera në Reçak, duke e quajtur trillim masakrën.