Osmani: LDK nuk m’i ka treguar votat e përjashtimit tim nga partia

Ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Vjosa Osmani ka thënë se LDK-ja ende nuk ia ka treguar asaj votat e anëtarëve që votuan për  largimin e saj nga pozitat udhëheqëse në parti.

Osmani tha se nuk është me e pozicionuar në LDK sepse është përjashtuar. Ajo e quajti të turpshme mënyrën e përjashtimit të saj nga kjo parti.

“Akoma nuk më janë dhënë votat e delegatëve dhe as përgjigje zyrtare nuk kam marrë nga askush, asgjë absolutisht. Atë ditë ka qenë afati të votohet deri në orën 7, ndoshta duhet treguar se pse janë thirrur disa anëtarë të votojnë pas orës 7. Këto mi thonë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm”, tha ajo në Rubikon në Klan Kosova.

Osmani shtoi se do ta vazhdojë angazhimin e saj politik.

“Pas përjashtimit nuk është se ka mbetur aty ndonjë hapësirë bashkëpunimi”, tha Osmani, kur u pyet nëse do të qëndrojë në LDK.