Osmani: Largimi i barrikadave në veri është çështje orësh

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se largimi i barrikadave në veri të vendit është çështje orësh.

Ajo në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova shtoi se nëse kjo nuk ndodh, duhet të ketë veprim të dakorduar me partnerët ndërkombëtarë.

“Asnjëherë barrikadat nuk kanë qenë më të rrezikshme se këto që janë vendosur. Unë jam e bindur që është çështje orësh heqja e barrikadave dhe nëse nuk largohen, duhet të ketë veprim të dakorduar me ndërkombëtarët”- tha ajo.

Osmani shtoi se barrikadat nuk janë larguar deri tani pasi ka pasur vlerësim për situatë të rrezikshme të sigurisë.

“Barrikadat janë akoma aty, jo për shkak se nuk ka pasur gatishmëri të Policisë së Kosovës për t’i larguar, por ka qenë vlerësim i përbashkët me institucione ndërkomabëtare të sigurisë që largimi i menjëhershëm  mund të shkaktojë viktima”- shtoi ajo.

Osmani tutje theksoi se rreziku në veri të Kosovës ditëve të fundit ka qenë më i madhi që nga shpallja e pavarësisë.

Sipas saj, veprimet e fundit të Serbisë janë identike me ato të Rusisë në vitin 2014 kur aneksoi territore të Ukrainës.

Tutje, presidentja tha se orientimi perëndimor i Serbisë nuk duhet të bëhet në kurriz të Kosovës.

“Do ishte në favor të gjithë rajonit sikur Serbia të kthehej nga Perëndimi, por jo në kurriz të Kosovës. Në anën tjetër mendoj se nuk ka shpresa që Vuçiq të rreshtohet në krah të Perëndimit. Ai ka strategji përmes të cilave mashtron shumë njerëz, veprimet e tij të fundit ku bashkëpunon me njësi paramilitare si Wagner, që i shfrytëzon për destabilizim të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës jane tregues i saj”- shtoi ajo.