Vjosa Osmani - Foto: KALLXO.com

Osmani: Kuvendi vazhdon punimet të enjten

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryeparalemntarja Vjosa Osmani ka thënë se Kuvendi do t’i vazhdojë punimet të enjten, kur pritet të votohen disa nga pikat që kanë mbetur nga seancat paraprake.

“Në seancën e radhës e cila do të mbahet këtë të enjte do të vazhdojmë me votimin e pikave të rendit të ditës për të cilat nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje në seancat paraprake. Siç e dini janë një sërë pikash duke përfshirë edhe rezolutat nga 3 interpelancat e mbajtura për kryeministrin për të cilat nuk kishte kuorum për vendimmarrje”, tha ajo.

Osmani po ashtu njoftoi që do të mbahet edhe një seancë e re në të cilën pritet të diskutohen një sërë temash.

“Do të vazhdojmë me seancë të re nga ora 11:00 ku përveç pikave të zakonshme do të kemi Projektligjin për të drejtat pronësore, programin kombëtar për zbatimin e MSA-së , debat parlamentar për problemet e banorëve shqiptarë në komunat veriore, do të kemi zgjedhjet e bordit të KOST-it nga radhët e komuniteteve joshumicë. Debat parlamentar, për qeverinë e Serbisë që vazhdon të mbajë të fshehur të vërtetën për civilët shqiptarë të rrëmbyer nga Serbia dhe debatin për masat në luftën kundër kancerit të gjirit”, theksoi ajo.

Ndërsa për Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike, Vjosa Osmani tha se është në shqyrtim dhe se ende janë brenda afatit ligjor.

Sipas saj, posa të marrin propozimet nga Komisioni për Buxhet dhe Financa atëherë do të dërgojnë në Kryesi.

“Sa i përket Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike gjithçka është brenda afatit ligjor sepse u duhen dy javë deputetëve për t’i propozuar amendamentet dhe sa jam e informuar deputetët janë duke i propozuar ato”, tha ajo.

Ndërsa sa i përket raportimit të kryeministrit Hoti për kërkesat për interpelanca nga LVV, Osmani tha që ende janë në koordinim të agjendës për të ftuar kryeministrin në Kuvend.