Foto: Zyra e Presidentit

Osmani: Kryeministria e Shqipërisë ka kërkuar që takimi me Edi Ramën të jetë i mbyllur

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e ka mbajtur një konferencë për media pas vizitës tre ditore që e ka pasur në Shqipëri.

E pyetur rreth takimit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Osmani tha se Kryeministria vet ka kërkuar që ai takim të jetë i mbyllur.

“Kryeministria vet ka kërkuar që ai takim të jetë i mbyllur, nuk ka qenë kërkesë e jona. Prandaj edhe unë nuk do të ishte në rregull sikur të tregoja këtu se çfarë ka thënë z. Rama”, ka thënë mes tjerash Osmani.

“Çfarë raporti kemi unë dhe z. Rama në baza personale është tërësisht e parëndësishme. Unë këtu nuk jam në cilësi personale, kam ardhur në cilësi zyrtare si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, si ushtruese e detyrës së presidentit dhe si kryetare e Kuvendit”, theksoi Osmani.

Ajo ka shtuar se ka pasur një takim substancial me presidentin shqiptar, Ilir Meta si edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, me kryetar Gramoz Ruçin.