Osmani: Kosova do të veprojë në partneritet me aleatët
Presidentja, Vjosa Osmani ka takuar sot inistrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.
Temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë situata e sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë.
“Osmani falënderoi për punën e shkëlqyeshme dhe profesionale, si dhe angazhimin e pashoq te Policisë së Kosovës. Ajo edhe njëherë ka shprehur vlerësimin e lartë për veprën e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili u vra nga grupet kriminale e terroriste në veri të vendit” – njofton Presidenca e Kosovës.
Presidentja sot ka takuar edhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Në të dyja takimet, është diskutuar edhe për veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare te sigurisë në Kosovë.