Presidentja Vjosa Osmani dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në takim me Ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, më 24.11.2024. Foto: Presidenca e Kosovës
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak
Kosova dhe Kanadaja do të fillojnë programin e bashkëpunimit në trajnim ushtarak, ka njoftuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo bashkë dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u takuan me ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë .
“Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij Programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-Ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada” – njoftoi Osmani, më 24.11.2024.
E para e shtetit tha se Kosova e Kanadaja kanë partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë.
Presidentja Osmani, e cila po e përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax ka zhvilluar një takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.
Sipas saj, prania e NATO-s, përmes KFOR-it në Kosovë ka qenë gjithmonë e rëndësishme për paqen dhe sigurinë, ashtu siç do të jetë edhe anëtarësimi i Kosovës në këtë Aleancë historike.
Në takim me Admiralin Bauer, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për rolin e NATO-s në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe përkushtimin e vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.