Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Osmani kërkon që urgjentisht të nxirret nga sirtarët projektligji për pandeminë

Kryetarja e Kuvendit,  Vjosa Osmani në mbledhjen e sotme të Kryesisë  ka shprehur shqetësimin për faktin se Qeveria ende nuk e ka dërguar opinionin për nismën e Kuvendit për Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, gjë që do të mundësonte trajtimin e ligjit në seancë.

Sipas një njoftimi të legjilsativit, Osmani theksoi se situata emergjente kërkon veprime të shpejta e jo bllokim për gati një muaj të këtij ligji.

Kryeparlamentarja tutje ka paralajmëruar që nëse Qeveria nuk e sjellë opinion deri të enjten, ajo në seancë do të propozojë shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky ligj urgjentisht.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e ardhshme të saj që pritet të mbahet gjatë kësaj jave do të shqyrtojë Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.

Drejtori i Zyrës për Komunikim Publik në Qeverinë e Kosovës, Xhavit Beqiri ka thënë për KALLXO.com se projektligji në fjalë do të shqyrtohet sapo të mbahet mbledhja e parë e qeverisë.

I pyetur se pse ende nuk është shqyrtuar ky projektligj, ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të procedurave.

Ky projektligj është inicuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani që nga muaji prill, por për javë të tëra ishte bllokuar në Kryesinë e Kuvendit nga partitë politike, përderisa vetëm në qershor u procedua për mendim në qeveri.

Iniciativa e Osmanit kishte ardhur pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese [vendimi që i shpalli anti-kushtetuese vendimet e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes] përmes së cilit ia rikujton Kuvendit detyrimin “qoftë përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit ekzistues të zbatueshëm ose përmes miratimit të ndonjë ligji të ri, të përcaktoj mekanizmat dhe autorizimet më të përshtatshme, në mënyrë që autoritetet përkatëse të ndërmarrin masat e duhura dhe të nevojshme për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19”.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar miratimin e ligjit anti-COVID derisa ka kërkuar edhe ndëshkime të rrepta ndaj mosrespektimit të masave.

Qeveria pritet të shqyrtojë projektligjin për luftimin e pandemisë, të inicuar nga Vjosa Osmani