Osmani kërkon që Kosova dhe Shqipëria të kenë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë në rast të cenimit të dy shteteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me homologun e saj Bajram Begaj, ka propozuar që mes Kosovës dhe Shqipërisë të ketë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë në rast se cenohet siguria e dy shteteve.

“Sa i përket bashkëpunimit tonë dy palësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është më rëndësi që me Shqipërinë siç e diskutuam të kemi një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite që e kam bërë një propozim të tillë që është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete, ndaj mendoj që është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”- ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova do të aplikojë si shtet anëtar në BE dhe për ketë kërkon ekspertizën e Shqipërisë.

Tutje ajo ka thënë se Kosova nevojë për mbështetjen e Shqipërisë sidomos për njohjet.

“Shqipëria i ka dhënë mbështetje të pa rezervueshme Kosovës. Ju falënderoj zotëri president për mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në NATO aty ku Kosova e ka vendin” – tha tutje ajo.

Me ceremoni shtetërore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në vizitë zyrtare presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka ardhur për vizitë zyrtare për herë të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës.

Begaj zyrtarisht është betuar si president i Shqipërisë më 27 korrik.