Osmani kërkon përkrahje nga Britania e Madhe për furnizimin me vaksina

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takim virtual me Wendy Morton, ministre për Fqinjësi Evropiane dhe Amerikë në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, e cila e uroi atë për zgjedhjen si presidente.

Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani prioritete të institucioneve tha se janë sigurimi i vaksinave kundër COVID-19, krijimi i vendeve të punës dhe sundimi i ligjit.

Ajo kërkoi përkrahje nga Mbretëria e Bashkuar në furnizim me vaksina për qytetarët e Kosovës, marrë parasysh se Mbretëria e Bashkuar është shtet lider në vaksinim të popullatës.

“Ministrja Morton nënvizoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për intensifikim të raporteve bilaterale. Më tej, ministrja Morton inkurajoi Kosovën që të jetë pjesë e agjendës globale mjedisore dhe luftimit të ndryshimeve klimatike. Presidentja Osmani dhe Ministrja Morton diskutuan për dialogun me Serbinë dhe potencuan rëndësinë e përfshirjes së gjitha grupeve politike, përfshirë partitë opozitare, në temat e interesit kombëtar”, thuhet në komunikatën e Presidencës.