Osmani kërkon përkrahje nga BE-ja dhe ShBA-të në luftën kundër 'bandave' në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për targat pas takimit që kishte me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Osmani tha se ka qytetarë serbë që po i konvertojnë targat dhe sipas saj po ka raste kur po djegen shtëpi duke përmendur edhe  rastin e djeshëm. 

Një veturë është djegur sot rreth orës 04:00 të mëngjesit, në Leposaviq. Sipas Policisë së Kosovës, kjo veturë sapo kishte bërë konvertimin nga targat ilegale në RKS.

“Ka qytetarë serbë që po i konvertojnë targat dhe po i largojnë ato të Millosheviqit, po ju djegen shtëpitë. Një rast ka ndodhur edhe mbrëmë. Kosova tashmë është konfirmuar si shteti me reformat më të mëdha. Edhe vetë fakti që mbi 90% të serbëve i përdorin targat është dëshmi që nuk janë kundër Kosovës”- tha ajo.

Presidentja shtoi se në luftën kundër bandave, në luftën për sundim të ligjit, presin përkrahjen e vazhdueshme të BE-së edhe ShBA-ve.

“Lufta jonë është luftë kundër bandave. Në luftën tonë kundër bandave, në luftën tonë për sundim të ligjit ne presim që të kemi përkrahjen e vazhdueshme të aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA” – shtoi Osmani.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës e ka konfirmuar se që nga 1 tetori, kur ka filluar procesi i regjistrimit të veturave nga targat ilegale, në targa RKS-së, janë vetëm 13 vetura që e kanë kryer këtë proces.

Për 20 ditë u regjistruan vetëm 13 automjete me targa RKS