Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani kërkon partneritetin e Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Presidenca ka njotuar se Osmani ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO.

“Presidentja Osmani ka përmendur rrezikun nga tendencat de stabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë.

“Në takim me ministrin Dendias, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia”, thuhet në komunikatë.

Greqia është në mesin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur ende as Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

Ministri i Jashtëm grek nesër për vizitë në Kosovë