Osmani: Kërkojmë ndihmën e aleatëve që të pajisemi edhe me helikopterë

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë pranimit të donacionit nga ShBA, të automjeteve ushtarake, kërkoi ndihmë nga aleatët që ta pajisin Ushtrinë e Kosovës edhe me helikopterë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së kanë organizuar ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit të ShBA-së me automjete ushtarake të blinduara, të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Në këtë ceremoni shtetërore të pranimit të donacionit, janë prezent edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani tha se ShBA-ja, po dhuron 55 mjete ushtarake në vlerë të madhe që do t’i ndihmojnë forcat e Kosovës.

“Si Komandante Supreme, jam e lumtur që së bashku me ju po e shohim se po jetësohet ëndrra jonë e përbashkët dhe ushtria jonë të rreshtohet përkrah aleatëve tanë. Dua të shpreh mirënjohje presidentit Biden, ambasadorit Kosnett, qeverisë amerikanë dhe ushtrisë amerikane”, tha Osmani.

Ajo tha se këto pajisje do ta ndihmojnë Kosovën dhe FSK-në që t’i zgjerojnë kapacitetet.

“Aftësitë operacionale të FSK-së do të rriten dukshëm. Unë kërkoj ndihmën e aleatëve për t’u pajisur edhe me helikopter”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.

Osmani tha se këto “pajisje janë karakteristika për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjeve të predhave e do t’ju mundësojnë ushtarëve juve që veprimet e juaja në ruajtjen e paqes t’i zgjeroni dhe t’i shtrini gjithandej ku do t’ju kërkohet”.

Osmani shpreson që faza e ardhshme e ngritjes së kapaciteteve të përfshijë helikopterët.

“Shpresoj që faza e ardhshme e ngritjes së kapaciteteve të përfshijë edhe helikopterët shumë të nevojshëm për ushtrinë tonë dhe shtetin tonë të cilët përtej ofrimit të kapaciteteve mbrojtëse do të shërbejnë edhe për të shpëtuar jetë njerëzish në rast të emergjencave ose katastrofave humanitare sikurse janë ato që pësojnë nga ndryshimet klimatike. Prandaj edhe këtu e shfrytëzoj rastin të kërkoj ndihmën e aleatëve tanë të pajiset edhe forca jonë”, tha Osmani.

Ajo tha se Forcat e Armatosura të Kosovës janë mekanizëm shumë i rëndësishëm për jetësimin e plotë të shtetësisë, por edhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe të pa prekshmërisë së territorit të Republikës së Kosovës.