Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Osmani: Ka përparim në lobimin ndaj pesë vendeve të BE-së që s'e njohin Kosovën

Mesi i muajit dhjetor është koha kur pritet që Kosova të aplikojë për statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE).

Në lidhje me këtë çështje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se po bëhet përparim në lobimin me pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që aktualisht nuk e njohin vendin.

Osmani duke folur për strategjinë që po përdoret me pesë mosnjohësit, tha se po ndërmerret një qasje hap pas hapi duke shtuar se me disa prej tyre, tashmë ka një nivel të lartë të bashkëpunimit ekonomik, njohjes së dokumenteve, turizmit, kulturës, që sipas saj, ajo që ka mbetur është njohja formale.

“Pra, ne do të vazhdojmë me këtë qasje edhe me mosnjohësit e tjerë, disa prej të cilëve kishin një qasje më të ngurtë ndaj Kosovës, por mendoj se po arrijmë atje, vetëm duhet të jemi të durueshëm”- tha Osmani për Euroactiv.

Presidentja është shprehur mirënjohëse ndaj atyre që janë partnerë dhe aleatë, por theksoi se BE-ja në tërësi duhet të kuptojë se mesazhet e paqarta, nuk janë më të përshtatshme në kontekstin aktual gjeopolitik.

“Unë mendoj se kjo është një nga ato pikat e lakimit në histori ku Bashkimi Evropian duhet të kuptojë se mesazhet e përziera, mesazhet e paqarta nuk kryejnë më punë. Ata duhet të jenë të qartë ndaj Ballkanit Perëndimor, me mbështetje ndaj anëtarëve të Ballkanit Perëndimor që kanë marrë një pozicion të qartë për Ukrainën, një pozicion të qartë kundër Rusisë”- theksoi ajo.

Për aplikimin e statusit kandidat në BE, Osmani thotë se kanë zgjedhur që aplikimin ta bëjnë në dhjetor, ende gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, pasi sipas saj Praga i ka dhënë shumë mbështetje Kosovës dhe rajonit dhe për shkak të shpresës që liberalizimi i vizave të finalizohet deri në fund të muajit.

“Por ne duam t’i përdorim këto vite në dy fronte, njëra, për t’u siguruar që të shtyjmë përpara për reforma të rëndësishme në vendin tonë që do të na afronin me BE-në. Së dyti, për të bindur të gjithë anëtarët e BE-së që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës dhe të na japin statusin e kandidatit”- shton Osmani.

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ditë më parë njoftoi se në mesin e dhjetorit, pritet që Kosova të aplikojë për statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në BE.

Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja janë 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Aktualisht vende kandidate për në Bashkimin Evropian janë edhe shtetet e tona fqinje si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, e pastaj edhe Turqia, Moldavia dhe Ukraina.

Ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë statusin e kandidateve potenciale.

Për t’u anëtarësuar një vend në BE duhet t`i plotësojë disa kushte që njihen si “kriteret e Kopenhagës” dhe përfshijnë një ekonomi tregu funksionale, një demokraci të qëndrueshme dhe sundim të ligjit, si dhe pranimin e të gjithë legjislacionit të BE-së, duke përfshirë edhe euron.