Osmani i shkruan letër Zelenskyt në 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani i ka shkruajtur një letër presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky për nder të ditës së pavarësisë së Ukrainës.

Përmes kësaj letre e para e shtetit i ka shprehur urimet presidentit Ukrainas duke thënë se Kosova solidarizohet plotësisht me Ukrainën gjersa kjo e fundit është duke luftuar për paqe dhe liri.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet më të mira për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Ky rast i veçantë normalisht do të ishte shënuar me festime të lavdishme në të gjithë vendin tuaj të bukur, por ndërsa përballeni me këtë luftë të padrejtë dhe të paprovokuar nga Rusia, ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë, përkrah gjithë botës demokratike, ndërsa ju luftoni që paqja dhe lirina të mbizotërojnë” – ka shkruar Osmani.

Ajo gjithashtu ka potencuar se Kosova ndanë dhimbjen me njerëzit dhe familjet që po përjetojnë vuajtje anembanë Ukrainës si pasojë e luftës që po zhvillohet atje.

“Zoti President, ka pak kombe që i kuptojnë vërtet vuajtjet e vendit tuaj dhe në mesin e tyre është edhe populli i Kosovës. Ne e dimë se si ndihet të jesh një objektiv i një regjimi gjenocidal dhe hegjemonist, dhuna e të cilit është brutale dhe pa dallim, i cili nuk ka respekt për dinjitetin njerëzor apo për të drejtën e vendit tuaj për të ekzistuar”- është shprehur presidentja.

“ Por, edhe populli im e di se kur ka vendosmëri, këmbëngulje dhe qëndresë, nuk ka asgjë që mund të pengojë vullnetin e një populli për liri” – ka vijuar ajo.

Ajo gjithashtu ka theksuar edhe mirënjohjen ndaj ushtarëve ukrainas që morën pjesë në misionin paqeruajtës në Kosovë, duke shtuar se Kosova është e gatshme ta mbështes Ukrainën me çdo kapacitet që ka, ku ndër to ka përmendur edhe sanksionet ndaj Rusisë.

“Kam besim se një ditë do të ulemi të barabartë në familjen evropiane, jo vetëm duke bashkëjetuar në paqe, por duke lulëzuar në liri, prosperitet dhe demokraci. Ne jemi me ju në shpirt, ne jemi me ju në veprim dhe do të jemi me ju derisa Ukraina të fitojë” – ka përmbyllur Osmani.

Lufta në Ukrainë tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë. Ishte data 24 shkurt kur në orët e hershme të mëngjesit, filloi sulmi rus, me raketa që ranë mbi objektiva anembanë Ukrainës dhe trupat tokësore u shfaqën në Ukrainë nga tri drejtime.

Kosova ka strehuar disa gazetarë nga Ukraina.

Këta gazetarë tashmë banojnë në Prishtinë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë Kosova” i cili është i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distanca.

Ndërkaq, në gazetaret ukrainase të strehuara përkohësisht në Kosovë, sot në nder të shënimit të 31-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, do të mbajnë një aksion simbolik që ka për qëllim të nderojë popullin ukrainas për rezistencën e treguar në më shumë se 80 ditë për të mbrojtur qytetin e Mariupolit.

Ky organizim do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë në ora 14:00.