Osmani i reagon Lajçakut: Kosova po e bën atë që po i kërkohet - po zbaton marrëveshjet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në ‘Twitter’ i ka reaguar të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili është shprehur i zhgënjyer me masat e reciprocitetit, të vendosura nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë.

Osmani ka shkruar se të kundërshtosh parimin e reciprocitetit, do të thotë të refuzosh marrëveshjet e arritura në dialog.

“Shumica e tyre (marrëveshjeve) i referohen CEFTA-s, të cilat e përfshijnë reciprocitetin dhe disa kërkojnë në mënyrë të qartë reciprocitetin në marrëdhëniet tregtare”, ka shkruar ajo.

Osmani po ashtu ka shkruar se marrëveshjet i referohen masave reciproke në tregti dhe dokumente, si dhe respektimin e standardeve.

“Standardi më i rëndësishëm në tregti është reciprociteti. Ajo që po bën Kosova është pikërisht ajo që po na kërkoni: të zbatojmë marrëveshjet. Rreth kohës që Serbia të bëjë pjesën  e vet”, ka shkruar në fund Osmani.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur i zhgënjyer me masat e reja të reciprocitetit të marra mbrëmë nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë.

Lajçak përmes një postimi në Twitter ka theksuar se duhet të hiqen të gjitha pengesat për rifillimin e dialogut.

Daçiq reagon ndaj masave të reja të reciprocitetit të vendosura nga Qeveria Kurti