Osmani i reagon deputetes së PDK-së pasi i kërkoi të mos qeshë në Kuvend

Deputetja nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, janë përfshirë në polemika gjatë seancës së sotme të Kuvendit.

Fillimisht, deputetja Ismaili sapo mori fjalën në seancë tha se ka përshtypjen që Osmani është e njëanshme dhe qesh në rastet kur ka sjellje jo parlamentare të deputetëve.

“Për mua ishte kënaqësi që sefte për herë të parë ju pash në krye të detyrës, mirë ju pat hije kjo gjë. Por do të doja që në krye të detyrës t’ju shihja më shpesh. Sepse nganjëherë kam përshtypjen që po ju shohim të njëanshme dhe assesi në krye të një institucioni siç është Kuvendi. Për më tepër kur ka sjellje jo parlamentare nga kolegët tanë, nuk do të doja të ju shihja teksa qesheni së bashkë me të në fjalët e deputetëve të nderuar”, tha deputetja.

Kurse, në reagim kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk do ta pranojë asnjëherë kulturën që gratë të mos folin e qeshin.

“Kritikat e juaja i marr si kompliment, dhe kështu në aspektin personal nuk do të ju përgjigjesha. Por ju përgjigjem sepse ka dhjetëra-mijëra vajza të vogla që na shohin dhe më e pakta që presin është që gratë në këtë Kuvend most ë tentojnë që të shtyjnë përpara një kulturë të tillë që grave duhet me ju tregu kur me fol e kur me kesh. Harroje që një kulturë të tillë unë e pranoj. Harroje! Gratë kanë me fol kur të dojnë, kanë me kesh kur të dojnë dhe unë kam me udhëheqë seancën këtë dhe çdo tjetër në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, tha Osmani.

Ajo e pyeti deputeten e PDK-së se ku ishte ajo në kohën kur kryetarë paraprak të këtij Kuvendit, gratë i ofendonin me “gjuhë çnjerëzore banale”.

“Kur e ngritët ju zanin për në gjuhë të tillë, që po ju pengon buzëqeshja ime”, shtoi ajo.

Kurse, në reagim deputetja Besa Ismali, tha se Osmani nuk e pati të drejtën për të diskutuar nëse është cenuar e drejta e dikujt për të folur.

“Nuk e patët të drejtë dhe nuk keni as bagazh për të diskutuar nëse unë kam cenuar të drejtën e dikujt për të folur ose qeshur, por ka pasur një shkëputje të madhe për këto të drejta mes neve qysh me fol e kesh në terren, përkundër nga ju që keni qenë në nivele të larta duke ndjekur agjenda”, tha ajo.

Kurse, Vjosa Osmani i tha deputetes se është komplet e painformuar.

“Jeni komplet e painformuar, nuk dëgjoni sepse nuk ju intereson ta dëgjoni të vërtetën. Si grua në politikë do ta keni përkrahjen time”, tha ajo.