Seanca e Kuvendit më 17 shtator 2020, Foto: Kuvendi i Kosovës

Osmani i kërkon sqarime rreth moratoriumit për organizata ndërkombëtare, kryeministri Hoti s’i përgjigjet  

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar sqarime kryeministrit Avdullah Hotit rreth planit të zbatimit që institucioneve të Kosovës të tërheqin të gjitha aplikimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Osmani këtë e kërkoi në seancën e Kuvendit, ku po mbahet interpelanca e Hotit lidhur me moratoriumin që Kosova të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare.

Gjatë adresimit, Osmani nuk i është drejtuar as me emër dhe as me pozitë, Hotit.

“Para dy-tri ditësh është miratuar në qeveri plani i zbatimit që ka të bëjë me siç e quani ju marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe pika 15 e këtij plani të zbatimit, thuhet që lëshohet qarkorja nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të gjitha institucionet, ku kërkohet që të tërhiqen të gjitha aplikimet dhe ku theksohet që për një periudhë një vjeçare Kosova nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare”, tha ajo.

“Pyetja është kur theksoni të gjitha institucionet a keni menduar që këtu është edhe Kuvendi i Kosovës, sepse në radhë të parë Ministria e Punëve të Jashtme s’mundet me lëshu qarkore për Kuvendin”, shtoi ajo.

Kryeparlamentarja theksoi se kjo do të mund të ndodhte nëse Kuvendi i jep Hotit kompetenca lidhur me këtë çështje.

“Por një gjë e tillë do të kishte mundësi të ndodhin këto rrethana që do t’i përmendi, e para sikur dokumenti të mund të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, atëherë ai do të krijonte obligim për moratorium, ose para se të shkonit në Uashington kuvendi t’ju mandatonte juve me një akt të veçantë që të merrni përsipër edhe obligime për Kuvednin.  Por nuk ka ndodhur as e para e as e dyta”, shtoi Osmani.

Kurse, kryeministri Avdulalh Hoti ironizoi me Osmanin. “Janë 40-50 deputetë, nuk e di kujna iu drejtu me atë pyetje”, tha ai.

Kurse, kryetarja Osmani ka thënë që pyetja është për të.

“Dokumentit të cilin e lexova është dokument i Qeverisë së Kosovës. Herën e fundit që kam kontrolluar ju keni në ulësen e kryeministrit të kësaj qeverie. Natyrisht që pyetja është për ju se ky dokument është i juaji”, tha ajo.

Ndërkaq, Hoti nuk zgjodhi t’i përgjigjet Osmanit.