Foto: Kuvendi i Kosovës

Osmani i kërkon Cakajt koordinim më të madh Kosovë-Shqipëri për politikën e jashtme

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin në detyrë për Evropë dhe Punë të jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajn, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Sipas një njoftimi të Kuvendit të Kosovës, në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin ndërparlamentar, në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Osmani ka thënë se ndër synimet e kësaj legjislature mbetet edhe anëtarësimi i Kosovës në disa mekanizma parlamentarë, në të cilat ndihma e Shqipërisë është e domosdoshme.

Tutje, kryekuvendarja Osmani ka kërkuar nga Cakaj koordinim më të madh ndërmjet Kosovës e Shqipërisë për politikën e jashtme.

Sipas saj, nevojiten qëndrime të përbashkëta për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Kurse, ministri në detyrë Cakaj ka bërë të ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve është në plan bashkimi i disa ambasadave e konsullatave, të cilat përveç se një shfrytëzim racional do të përbëjnë edhe një mesazh politik.

“Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet të dy shteteve nuk është në nivelin e duhur, duke u zotuar për të shmangur pengesat”, thhet në njoftim.

Mes tjerash, Kryeparlamentarja Osmani ka kërkuar heqjen e barrierave jotarifore për bizneset kosovare që operojnë në Shqipëri.

Kurse ministri Cakaj, duke premtuar ndihmë në këtë drejtim ka thënë se është koha për një momentum të ri në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve.

“Në këtë takim është diskutuar edhe koordinimi për ta mbështetur diasporën shqiptare si dhe shkelja e të drejtave themelore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Pala shqiptare i bëri ftesë zyrtare kryekuvendares Osmani që në një të ardhme të afërt ta zhvillojë një vizitë zyrtare pune në Shqipëri”, njofton Kuvendi.

Ministri në detyrë, Gent Cakaj ka takuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës.

Ministri Konjufca kërkon ndihmën e Shqipërisë në OSBE