Osmani: Gruaja në Kosovë përballet me shumë sfida

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konferencës për “Rolin e grave në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë” ka thënë se vendi ka shënuar përparim në përfshirjen e grave në vendimmarrje duke shtuar se ende ka punë në këtë drejtim.

“Edhe pse kemi ende jashtëzakonisht shumë punë, është evidente që Kosova ka siguruar përparim edhe në përfshirjen e grave në vendimmarrje. Rregullativa në vendin tonë flet për mundësi për përfaqësim të grave, por realiteti shpesh herë flet të kundërtën, nganjëherë them që është shoqëria ajo që po emancipohet më shumë se institucionet, ishin qytetarët ata që besuan që me votën e tyre një grua mund të jetë komandante supreme”, tha presidentja Osmani.

Ajo ka theksuar se pjesëmarrje e grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë e vogël.

“Gratë po zhvillojnë mirëfilli profilin e ushtarakes duke pasur suksese në misione të ndryshme, duke marrë detyra të reja krahas burrave. Pjesëmarrja e vajzave në FSK vazhdon të jetë e vogël 7-8% e vajzave janë pjesë e FSK-së, ne kemi nevojë të shohim më shume gra, pjesëmarrja e tyre është garantues për paqe dhe siguri afatgjate”, tha Osmani.

“Sot gruaja në Kosovë ende përballet me sfida të shumta nga krijimi i mundësisë, deri te përfaqësimi aktiv, por vendosmëria dhe përkushtimi juaj shërben si model për secilën të re që ta shoh vetën në vendimmarrje. Si presidente e vendit dua të ju siguroj që do ta përkrahi çdo iniciativë që ka për qëllim forcimin e pjesëmarrjes së gruas në shoqëri, ky është angazhim i yni i përditshëm së bashku me qeverinë e Kosovës”, shtoi ajo.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se roli i grave është i pazëvendësueshëm dhe ka qenë bosht i pathyeshëm i shoqërisë duke përmendur si shembull presidenten grua të Kosovës.

“Nga eksperienca personale, si një oficer i karrierës, roli i grave dhe kontributi i tyre ka qenë i pazëvendësueshëm në avancimin e proceseve, këtë e kanë dëshmuar shumë operacione ndërkombëtare. Duke ju referuar historisë, gratë kanë qenë boshti i pathyeshëm i vendit tonë, ndërsa sot kemi një grua presidente më e votuara nga qytetarët”, tha ai.

Me rastin e përvjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 e OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me UN-Women, kanë organizuar konferencën, “Roli i grave në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë”.