Osmani: FSK po stërvitet me Ushtrinë Amerikane, Serbia me atë të Rusisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot u deklaruar rreth stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohur si ‘Defender 21’.

Osmani përmes një postimi në Twitter tha se derisa Kosova dhe shtetet e tjera po e bëjnë këtë, Serbia po organizon stërvitje me Rusinë.

“Derisa Kosova dhe vendet e tjera në rajon po marrin pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Ushtrinë e SHBA (# Defender21 ), Serbia po forcon ndikimin e Kremlinit dhe destabilizon rajonin duke organizuar një stërvitje të përbashkët me ushtrinë Ruse”, shkroi Osmani

Forca e Sigurisë së Kosovës me 330 ushtarë është pjesë e stërvitjes “Defender-Europe 21”, ushtrimet e së cilës në Kosovë janë duke u zhvilluar nga data 17 maj e do të zgjasin deri më 29 maj dhe arena e trajnimeve do të jetë në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë.

Kosova është një prej 16 vendeve pritëse të “Defender Europe 21”, që është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane. Në “Defender-Europe 21”, marrin pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë.