
Osmani flet për propozimin e Rrustem Berishës si këshilltar i Anton Qunit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar propozimin për emërimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha nga ana e ministrit të tanishëm, Anton Quni në postin e këshilltarit të lartë politik.
Kryeparlamentarja në një konferencë për media tha se mendon që është bërë me qëllim të ndonjë konsistence.
“Është çështje për të cilën duhet të përgjigjet ai pasi nuk kam njohuri të sakta. Duke e njohur z. Quni mendoj se është bërë me qëllim të ndonjë konsistence”, tha ajo.
Rrustem Berisha i AAK-së, ia dorëzoi sot edhe zyrtarisht postin e ministrit Anton Qunit të LDK-së në Ministrinë e Mbrojtjes.
E derisa u bë pranim-dorëzimi i shefit të dikastrit të Mbrojtjes, Quni pati një ofertë për ish-bashkëluftëtarin e UÇK-së, Rrustem Berisha.
“Unë do të kërkoja nga ju që të jeni bashkëpunëtori im më i ngushtë, këshilltari im i lartë politik për çështjet në të ardhmen”, tha ministri i ri i Mbrojtjes.
Ish-ministri, Rrustem Berisha pranoi ofertën e ministrit Quni për të qenë këshilltarë i tij, ai madje u shpreh i nderuar dhe i befasuar nga kjo ofertë.
“Çfarëdo kërkese që lidhet me interesin e këtij institucioni, sigurisht që do të pranoj çka do që vlerëson edhe më tutje. Unë nuk hezitoj me e mbështet kudo që ka nevojë, edhe pse kemi qenë në parti të ndryshme ne na lidhë lufta, interesat partiake nuk na ndajnë”, tha Berisha.
Anëtari i AAK-së, Rrustem Berisha, është njëri nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët e rrejshëm” për fryrjen e listës së personave që mund të marrin pension si ish-pjesëtarë të UCK-së.
Anton Quni e emëron këshilltar Rrustem Berishën pasi pranoi detyrën e ministrit