Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani falënderon Biden për gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën

Osmani falënderon Biden për gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në sigurimin e vaksinave

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani – Sadriu, ka falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për letër-urimin e dërguar.

Osmani po ashtu ka falënderuar presidentin amerikan për gatishmërinë e tij për të ndihmuar Kosovën në sigurimin e vaksinës për COVID-19.

“Në veçanti, e falënderoj Presidentin Biden që i është përgjigjur letrës sime të datës 19 mars lidhur me ndihmën në drejtim të sigurimit të vaksinave, si prioritet numër një i institucioneve tona. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë në kontakt me ekipin tim për realizimin e këtij synimi”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në rrjetin social facebook.

Presidentin Biden i ka dërguar një letër homologes kosovare të cilën e ka uruar për pozitën e re, në këtë letër theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Presidentja Osmani – Sadriu, në adresimin e saj në facebook, ka cituar presidentin Biden për theksimin e çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar rëndësinë e njohjes reciproke mes dy vendeve.

“ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden.

Biden uron Osmanin: Partneriteti ynë është i rrënjosur në vlera të përbashkëta