Osmani e Kurti zhvillojnë takim koordinues ndërinstitucional për politikë të jashtme

Presidentja Vjosa Osmani sot ka zhvilluar takimin e parë koordinues ndërinstitucional për politikë të jashtme dhe mbrojtje me kryeministrin Albin Kurti dhe anëtarët e qeverisë.

Osmani diskutoi me kryeministrin Kurti nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes si dhe çështjes prioritare të sigurimit sa më të shpejtë të vaksinave kundër COVID-19.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u dakorduan se përpjekjet e përbashkëta, si dhe adresimi i koordinuar i këtyre temave, do të sjellë rezultate më konkrete”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga presidenca.

Osmani dhe Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare.

Ata po ashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar përpjekjet për adresimin e nevojave të menjëhershme të qytetarëve që lidhen me pasojat shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia COVID-19.

Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.