Osmani e Kurti pas takimit me Blinken: Biseduam për anëtarsmin në NATO e dialogun me Serbinë

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë thënë se në takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken kanë diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Presidentja Osmani ka thënë se njëjtë si presidenti Biden edhe Blinken kanë qenë të qartë se procesi i dialogut përqendrohet në njohje reciproke.

“Kemi diskutar për atë se sa e domosdoshme është që Kosova të jetë në NATO së bashku me partnerët tjerë dhe aleatët tjerë. Kemi diskutuar për rolin konstruktiv që Kosova po luan në dialogun Kosovë-Serbi dhe SHBA-në si partner gjithnjë kanë qenë të zëshëm ne ketë drejtim se si Biden edhe Blinken kanë qenë të qartë se procesi i dialogut përqendrohet në njohje reciproke”, ka thënë ajo.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takim kanë diskutuar edhe se si të rritet bashkëpunimi tregtar Kosovë-SHBA.

“Përfituam nga rasti që nga Blinken të kërkojmë shtimin e investimeve amerikane dhe ta rrisim shkëmbimin tregtar. Edhe në NATO ne e kemi bashkëpunimin me SHBA-të dhe synojmë që siguria e Kosovës ta ketë për partner të padiskutueshëm SHBA-në”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në takim kanë treguar se Kosova është rrëfim suksesi.

“Treguam se si Kosova është rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë së pari është rrëfim suksesi i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë dhe së dyti është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë më zhvillimin ekonomik”, ka thënë Kurti.

Takimi i Blinden me Osmanin dhe Kurtin ka përfunduar disa minuta më parë.

Ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.

Ndërsa nesër krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MMC.

Sipas agjendës takimi pritet të përfundojë brenda një ore dhe pas takimit do të ketë një prononcim për media.