Foto: Vjosa Osmani / Facebook

Osmani e Kurti mirëpresin vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për liberalizim të vizave

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i janë gëzuar vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, të cilët sot kanë miratuar  në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e dërguar kështu një hap para procesin e heqjes së vizave për kosovarët.

Osmani në një reagim në Twitter ka thënë se e mirëpret vendimin unanim të Këshillit të BE-së.

“Duke përmbushur kriteret 5 vjet më parë, ky proces i vonuar është megjithatë një fitim për qytetarët dhe vendin më të ri të Evropës. Faleminderit të gjithë partnerëve tanë që na qëndruan pranë” – ka shkruar presidentja.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se është i kënaqur nga ky vendim, për të cilin tha se është në favor të udhëtimit pa viza për qytetarët e vendit.

“Pritjes së gjatë po i vjen fundi. Mezi presim hapat përfundimtarë të Parlamentit Evropian” – u shpreh ai.

Më vendimin e sotëm, Kosova është një hap larg liberalizmit të vizave pasi rregullat e reja duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian.

Pas miratimit në Parlament, vendimi nënshkruhet dhe publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së për të hyrë në fuqi disa ditë më vonë.

“Këshilli sot miratoi pozicionin e tij lidhur me lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t’u mundësojnë bartësve të këtyre pasaportave udhëtimin në Bashkimin Evropian pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve“- ka thënë pas miratimit ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Marrëveshja për liberalizimin e vizave ishte arritur në dhjetor të vitit të kaluar në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian.

Në janar të 2023-tës, në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtari për media në Parlamentin Evropian, Janne Ojamo ka njoftuar se votimi në Parlament pritet të ndodh deri në prill.

“Dosja do të shkojë në seancë plenare të Parlamentit Evropian për miratim përfundimtar, vlerësimi aktual është seanca plenare e dytë e marsit ose seanca e parë në prill” – kishte thënë për KALLXO.com, Janne Ojamo në janar të këtij viti.

Lidhja e liberalizmit të vizave për Kosovën me sistemin ETIAS

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, Franca propozoj që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.

Deri tek kjo mbledhje kishte ardhur pas letrës të cilën presidenca çeke e BE-së ia kishte dërguar vendeve anëtare për të diskutuar për këtë temë.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Bashkimi Evropian para pak ditëve, e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai ishte paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Zyra e zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian në një përgjigje për KALLXO.com kanë theksuar nuk ka kushte specifike që Kosova duhet të plotësojë për përshtatje me sistemin ETIAS.

“Nuk ka kushte shtesë apo specifike që Kosova duhet të plotësojë për përshtatje me sistemin ETIAS, meqenëse Kosova posedon pasaportat biometrike të cilat janë dhe bazë për zbatimin e këtij sistemi” – ka thënë këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu.

Historiku i heqjes së vizave

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës schengen.