Foto: Facebook/ Vjosa Osmani

Osmani e Kurti homazhe në Likoshan e Qirez, kërkojnë drejtësi për ata që u vranë nga forcat serbe

Në përvjetorin e betejës së Likoshanit e Qirezit, u.d. presidentja në detyrë, Vjosa Osmani dhe ish- kryeministri Albin Kurti thanë se duhet të ngritet zëri dhe të kërkohet drejtësi për ata që u flijuan në luftën e fundit në Kosovë.

Në homazhet e përvejtorit të betejës së Likoshanit dhe Qirezit morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani tha se kujtesa historike dhe institucionale për beteja të tilla ndihmon qytetarët të kuptojnë se çfarë çmimi ka pasur liria e popullit.

“Jemi këtu që të nderojmë sakrificën, për të nderuar luftën çlirimtare, gjithë atë kontribut që e kanë dhënë ata që bënë luftën frontale kundër forcave gjenocidale serbe, por edhe të gjithë të rënët në betejë dhe masakrën e Likoshanit dhe Qirezit”, tha Osmani.

Ajo shtoi se duhet të kërkohet drejtësi.

“Kjo kujtesë historike dhe institucionale, na ndihmon që të kuptojmë çmimin e lartë të lirisë që populli e pagoi dhe po ashtu ne duhet ta ngrisim zërin për të gjitha viktimat e shtetit serb sepse vetëm duke kërkuar drejtësi ne mund ta ndërtojmë shtetin tonë ashtu siç duhet dhe si ëndërruan ata që ranë për liri”, shtoi Osmani.

Ish-kryeministri Albin Kurti tha se është obligim institucional që për familjet e të rënëve për liri të ketë drejtësi.

“Drejtësia është mohuar dhe është obligim i yni institucional që për të gjithë këta familjarë, për të vrarët, të sjellim drejtësi duke u përndjekur, gjykuar dhe dënuar, kriminelët që kryen krimet e luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, tha Kurti.

Në lidhje me përvejtorin e betejës së Likoshanit e Qirezit, folën edhe kryetarët e Komunave të Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ai i Skenderajt, Bekim Jashari.

“Jemi këtu për të nderuar dëshmorët dhe heronjtë, për ta nderuar betejën e Likoshanit dhe Qirezit, një betejë e cila ka fillu edhe luftën frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Lladrovci.

Në luftimet e zhvilluara më 28 shkurt 1998 mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.

Më 28 shkurt 1998, në Likoshan dhe Qirez të Drenicës, policia serbe në mënyrën më barbare vrau gra, pleq, burra dhe të rinj të paarmatosur, në oborret dhe shtëpitë e tyre, në shenjë hakmarrjeje pas përleshjes me një njësit të UÇK-së te Lisi Gjashtënjak. Viktimat e pafajshme përpos që u vranë, ato edhe u masakruan. Me këtë akt policia dhe ushtria serbe filluan fushatën e akteve masive të vrasjeve, masakrave, gjenocidit, djegies dhe spastrimit etnik për dy vite me radhë (1998 – 1999).