Osmani e dekoron ish-ministrin gjerman të mbrojtjes me medaljen ‘Urdhri i Lirisë’

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar medaljen e “Urdhri i Lirisë”, ish-ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping.

Sipas njoftimit, kjo medalje i është akorduar ish-ministrit Scharping në vitin 2004 nga ana e Presidentit Ibrahim Rugova, por e njëjta nuk i është dorëzuar atij asnjëherë.

Presidentja Osmani njoftohet se theksuar që dekorimi i ish-ministrit gjerman përkon me 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës, për të cilën ai ishte meritor.

“Siç thoshte presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, shtëpia nuk mbahet pa miq. Kjo dekoratë dëshmon se Kosova di t`i nderojë miqtë, ata që në orët e errëta të historisë i dolën në krah. Z. Scharping është njëri nga meritorët për lirinë që e gëzojmë. Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës ndaj angazhimit të tij për lirinë tonë”, ka potencuar Presidentja Osmani.

Gjatë luftës në Kosovë, më 1999, Scharping kishte përkrahur intervenimin e NATO-s, teksa në ditarin e tij “Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”, ka paraqitur zhvillimet politike të këtij misioni.