
Osmani: Drejtësia për viktimat e sulmeve të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme
Në përvjetorin e 25-të të sulmeve të 3 dhe 4 shkurtit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë thirrje për drejtësi për viktimat dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre krimeve.
Përmes një komunikate për media, Osmani ka kujtuar “dy netët e tmerrit”, teksa ka nderuar jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, që siç thotë ajo “u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia”.
“Në përvjetorin e 25-të kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, nderojmë me respekt të thellë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë, që u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia. Në këtë sulm brutal u plagosën edhe 24 qytetarë, të cilët janë dëshmi e barbarisë së atyre dy netëve.” – thuhet në komunikatë.
Osmani rikujtoi gjithashtu shpërnguljen me forcë të 1,564 familjeve, me gjithsej 11,364 anëtarë, nga shtëpitë e tyre – duke e cilësuar këtë si përpjekje për spastrim etnik në veri të Mitrovicës.
“Dëshmi e dhimbshme janë edhe 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre – duke dëshmuar qartë përpjekjet për spastrim etnik në këtë pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.” – thuhet tutje në Kumtesë.
“Këto ditë janë një kujtesë e fuqishme e rezistencës dhe përpjekjes për të qëndruar në vatrat e tyre, por edhe e nevojës për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë. Drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve mbeten një domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët e vrarë me 3-4 shkurt!” – thekson tutje Osmani.
N
Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.
Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MUP i Serbisë, në krye ish-komandantin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë. Ndërsa, Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 shpalli fajtor Oliver Ivanoviqin me 9 vjet burg për “krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë”.