Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian

Osmani: Do të shikojmë zbatimin e të drejtave të njeriut ndaj ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se institucionet e Kosovës do të monitorojnë nëse janë duke u zbatuar të drejtat e të burgosurve në Hagë.

“Do të ulemi dhe do të diskutojmë me institucionet në radhë të parë se si mund të bëjmë çmos që ligjet që i ka miratuar vet Kuvendi i Kosovës, që amendamentet kushtetuese që i ka miratuar vet Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave të shohim sesa po zbatohen edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të akuzuarve, sepse kemi të bëjmë me kontekst të lirive dhe të drejtave themelore që janë pjesë e kushtetutës sonë e që e ka marrë për obligim ti zbatoj Gjykata Speciale”, tha Osmani.

Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, tha që zbatimi i të drejtave themelore të të burgosurve në Hagë është më i rëndësishëm sesa një vizitë e saj atje.

“Edhe ligjet që janë miratuar pastaj kanë për bazë një kapitull të tërë të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të cilat ne si institucione duhet të sigurohemi që nuk shkelen, pra me rëndësi çka ndërmarrim ne në këtë aspekt, dhe jo vizitat”, tha ajo.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kreu i PDK-së Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen se gjatë kësaj periudhe kishin ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Javë më parë të akuzuarit në Hagë i ka vizituar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka thënë se puna e Gjykatës Speciale ka shumë defekte.

Konjufca flet nga Haga: Puna e Speciales ka shumë defekte