Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, 20.08.2024. Foto: Presidenca e Kosovës
Osmani diskuton për 'Urën e Ibrit' edhe me ambasadorin britanik në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves në presidencë dhe mes tjerash kanë diskutuar edhe për cështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Në takimin e tyre në Presidencë, Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se hapja e urës, si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
“Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se plani i zbatimit për hapjen e urës duhet të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë” – ka njoftuar Presidenca.
Presidentja dhe diplomati britanik kanë diskutuar edhe për zhvillimet e tjera të fundit dhe për thellimin e raporteve bilaterale dhe bashkëpunimit mes dy shteteve.
Temën e Urës së Ibrit, Osmani e ka diskutuar edhe në takime me Ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadorin Boris Ruge të martën më 20.08.2024 si dhe me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, të hënën më 19.08.2024.
Hapja e Urës së Ibrit po synohet nga Qeveria e Kosovës, mirëpo është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in, e cila insiston se kjo temë duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja Osmani ka kundërshtuar fuqishëm idenë e diskutimit të kësaj teme në dialog, sepse sipas saj kjo është antikushtetuese dhe kundër sovranitetit të Kosovës.
“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë … Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë që është brenda territorit të Kosovës” – ka thënë Osmani më 15.08.2024.
Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi
Ndërkaq, Ambasadori i ShBA-ve, Jeffery Hovenier ka deklaruar më 13.08.2024 se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 14.08.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.
Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.08.2024 ka publikuar raportin që thotë se Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.
Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.
Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.
Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.
Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.